Çmime për praktika të mira në qeverisjen vendore, vlerësohen tetë bashki

Prezantimet e Bashkive për konkursin e praktikave të mira
November 23, 2017
Publikohet raporti i dytë i monitorimit i strategjisë ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore
December 6, 2017

Çmime për praktika të mira në qeverisjen vendore, vlerësohen tetë bashki

Tetë bashki të vendit fituan çmime për praktika të mira në qeverisjen vendore në kuadrin e nxitjes që Ministria e Brendshme dhe Ambasada e Zvicrës i japin bashkive të reja për zbatimin e Strategjisë së Decentralizimit dhe konsolidimit të Reformës Administrative Territoriale.

Të pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve të Konkursit Kombëtar të Praktikave të Mira ishin Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Christoph Graf, Kryetarë dhe përfaqësues të Bashkive, përfaqësues nga institucione qendrore e organizata të huaja, donatorë të ndryshëm etj.

Konkursi u organizua nga Ministria e Brendshme dhe “Programi për Decentralizim e Zhvillim Vendor” (DLDP), që zbatohet nga “Helvetas Swiss Intercooperation” dhe financohet nga qeveria Zvicerane.

Një çmim në total prej 30,000 frangash zvicerane iu dha 5 bashkive (Vau i Dejës, Lezhë, Sarandë, Korçë, Vlorë). Ndërsa, katër çmime me nga 5,000 franga zvicerane u fituan nga bashkitë: Shkodër, Mat, Korçë dhe Fier, të përzgjedhura si praktikat më të mira në nivel rajonal.

Një çmim i veçantë si “Vlerësim nga Shoqëria Civile për Praktikat e Mira të Bashkive” i shkoi bashkisë së Vlorës.
Praktikat fituese përfshinin: shërbime të përmirësuara turizmi, zyra me një ndalesë, qendra për qytetarë me aftësi të kufizuara, si dhe informimi e komunikimi për qytetarët.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv/kryeministrja Mesi duke u ndalur tek praktikat e mira që bashkitë e reja kanë realizuar pas reformave të mëdha që janë ndërmarrë (reforma territoriale; reforma e decentralizimit; ligji për financat vendore – shoqëruar me një rritje të transfertave për bashkitë), nënvizoi faktin se jemi në rrugën e drejtë për të arritur një funksionim gjithnjë e më të mirë të qeverisjes vendore në shërbim të qytetarëve dhe përmirësimit të jetës së tyre.

“Është në detyrën e secilës prej 61 Bashkive për të bërë përpjekje maksimale dhe sjellë ndryshime në komunitetet përkatëse. Në kuadër të Programit zviceran për Decentralizim e Zhvillim Vendor (DLDP) dhe projekteve të financuara nga programi në nivel qeverisjeje vendore, sot janë vlerësuar vetëm një pjesë e Bashkive”, nënvizoi Mesi.

Vlerësimi i sotëm, vijoi ajo, shkon në radhë të parë për stafet dhe kryetarët e bashkive, së bashku me urimin që eksperienca e tyre të jetë nxitëse edhe për bashkitë e tjera.

Gjatë ceremonisë u paraqit edhe Raporti i Monitorimit të Procesit të Decentralizimit, një punë e kryer nga Programi zviceran për Decentralizim e Zhvillim Vendor (DLDP), i cili tregon mbi ecurinë e decentralizimit dhe përshkruan nivelin e arritjeve apo të sfidave që ndeshen në këtë proces.

Sipas Raportit, rezulton një rritje prej 19% krahasuar me vitin 2016-të e transfertës së pakushtëzuar për qeverisjen vendore nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër, të ardhurat e Bashkive nga taksat dhe tarifat vendore, janë rritur me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Konkursi Kombëtar i Praktikave të Mira nga qeverisja vendore ka si qëllim pikërisht evidentimin e përpjekjeve të bashkive për t’iu përgjigjur sfidave që kanë dalë nga zbatimi i reformave, dhe shpërblimin e disa prej nismave më të mira prej këtyre bashkive.

I zhvilluar për të dytin vit radhazi, ky konkurs synohet të kthehet në një traditë që nxit ndërveprimin mes niveleve të qeverisjes dhe mbështet performancën e Bashkive. /k.s/  /a.g/

 

 

 

AZHR Bashkia Çmimi
1 Shkodër Çmimi Rajonal R1
1 Vau Dejës Çmimi Kombëtar: Shërbime
1 Lezhë Çmimi Kombëtar (1/2): Zhvillim ekonomik
2 Mat Çmimi Rajonal R2
3 Korçë Çmimi Rajonal R3
3 Korçë Çmimi Kombëtar (1/2): Inovacion
4 Fier Çmimi Rajonal R4
4 Vlorë Çmimi Kombëtar (1/2): Inovacion
4 Vlorë Çmimi Kombëtar: Shoqëria Civile
4 Sarandë Çmimi Kombëtar (1/2): Zhvillim ekonomik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *