DLDP dhe Ministria e Brendshme organizojnë, për të dytin vit, Konkursin Kombëtar të Praktikave të Mira të Bashkive

Pas Reformës Administrative Territoriale (RAT), 61 Bashkitë e vendit kanë funksionuar mbi bazën e territoreve më të mëdha e popullsive të shtuara. Ligji i ri organik dhe procesi i decentralizimit sollën mundësi dhe sfida të reja për Bashkitë, të cilat bënë përpjekje për të përballuar dhe gjetur zgjidhje në mënyrë të organizuar ose edhe individualisht.

Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor (DLDP) zbatohet në Shqipëri nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe financohet nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, mbi bazën e një Marrëveshje dypalëshe mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane. DLDP mbështet qeverisjen vendore për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve, për të nxitur zhvillimin social-ekonomik të njësive vendore dhe për të përmirësuar proceset pjesëmarrëse.

Pas vitit të parë të nisjes së punës së Bashkive të reja DLDP e konsideroi me vlerë të shihte ecurinë e tyre në këtë kuadër të ri. Konkursi Kombëtar i Praktikave të Mira të Bashkive (KPMB) u zhvillua në periudhën Gusht – Dhjetor 2016, duke vendosur një qasje origjinale ndaj punës së qeverisjes vendore, duke nxitur angazhimin profesional të kapaciteteve vendore dhe duke vlerësuar e mbështetur administratat vendore më të suksesshme. Ky aktivitet organizohet edhe për vitin 2017, duke synuar të kapë zhvillimet në nivel vendor dhe angazhimin e Bashkive në konsolidimin e Reformës Administrative Territoriale.

DLDP dhe Ministria e Brendshme organizojnë konkursin për projektin / praktikat më të mira të zhvilluara nga Bashkitë, në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre.

Objektivat e Konkurrimit të praktikave më të mira janë:

  • Të njohë e të vlerësojë paraktikat më të mira të bashkive të vendit në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre (grupimi sipas 4 Rajoneve të Zhvillimit të përcaktuara në vend);
  • Të promovojë inovacionet në fusha të ndryshme të kompetencës së Bashkive.
  • Të nxisë ndërveprimin në rrafsh vendor, rajonal e kombëtar për shkëmbimin e praktikave të mira si dhe ndërveprimin në kuadër të proceseve decentralizuese

 

Të gjitha Bashkitë kanë mundësi të tregojnë e të ndajnë një përvojë të mirë pune të tyren. Fushat e aplikimit janë të pakufizuara, brenda kuadrit të veprimtarisë dhe përgjegjësive që ka vetqeverisja vendore:

Konkurrimi përfshin dy faza:

(i) faza e parë do të zhvillohet në rrafsh rajonal, gjatë së cilës do të konkurrojnë me njëra tjetrën Bashkitë e grupuara sipas 4 Rajoneve të Zhvillimit (Shkodër, Tiranë, Korçë, Vlorë);

(ii) faza e dytë do të zhvillohet në rrafsh kombëtar, gjatë së cilës do të konkurrojnë mes tyre 2 Bashkitë e renditura të parat në secilin prej Rajoneve.

Aplikimet vlerësohen nga Juritë e ngritura për këtë qëllim si në rrafshin Rajonal ashtu edhe në atë kombëtar. Për fituesit, DLDP do të ndajë çmime si fond në buxhetin e Bashkisë përkatëse.