Konkursi i Praktikave të Mira të Bashkive 2018

Pas Reformës Administrative Territoriale (RAT), 61 Bashkitë e vendit kanë funksionuar mbi bazën e territoreve më të mëdha e popullsive të shtuara. Ligji i ri organik dhe procesi i decentralizimit sollën mundësi dhe sfida të reja për Bashkitë, të cilat bënë përpjekje për të përballuar dhe gjetur zgjidhje në mënyrë të organizuar ose edhe individualisht.

KPM është një thirrje e hapur për Bashkitë për të prezantuar një praktike të mire të zbatuar ne cfarëdo fushe të aktivitetit të NJQV nëpërmjet një proces aplikimi dhe konkurrimi.

Konkursi i Praktikave të mira është organizuar në vitin 2016 dhe vitin 2017, nga Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor (dldp)[1], në bashkëpunim me katër Agjensitë e Zhvillimit të Rajonal (AZHR). DLDP mbështet qeverisjen vendore për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve, për të nxitur zhvillimin social-ekonomik të njësive vendore si dhe për të përmirësuar proceset pjesëmarrëse.

Duke parë interesimin e treguar nga Bashkitë për të qenë pjesë e këtij Konkursi, si dhe duke vërejtur gadishmërinë e Ministrisë së Brendshëm, edicioni i tretë (2018) i KPM do të zhvillohet si një veprimtari e udhëhequr nga Agjensia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore me mbështetjen e dldp.

 

Objektivat e KPM

KPM është një instrument me anë të të cilit bashkitë paraqesin praktika të mira të realizuara ose që janë në proces, të cilat lidhen me ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive në nivel vendor, decentralizimin, përmirësimin e demokracisë vendore, performancën e vetëqeverisjes vendore, marrëdhëniet mes aktorëve të përfshirë për qeverisje më të mirë, si dhe fusha të tjera.

Praktikat e mira mund të përfshijnë fusha të ndryshme të veprimtarisë së Bashkive, pa u kufizuar në kohën kur janë zhvilluar, por që janë koherente me kontekstin e zhvillimeve të tanishme reformuese dhe sfidave që paraqet procesi i decentralizimit dhe mirëqeverisjes vendore (procese në vijim apo rezultate/ndikim i vlerësuar); praktikat mund të jenë  të karakterit administrativ, ekonomik apo social. Në vijim jepen disa fusha në formë shembulli, por që nuk janë kufizuese për aplikimin nga ana e bashkive.

 

Objektivat e KPM janë:

Të njohë e të vlerësojë paraktikat më të mira të bashkive të vendit në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre.
  • Të promovojë inovacionin në fusha të ndryshme të kompetencës së Bashkive.
  • Të nxisë ndërveprimin në nivel vendor, rajonal e kombëtar për shkëmbimin e praktikave të mira si dhe ndërveprimin në kuadër të proceseve reformuese decentralizuese.
  • Të kapë dhe të ofrojë informacion dhe të dhëna praktike mbi ecurinë e decentralizimit në nivel vendor, përmes një qasje nga poshtë lartë.
  • Të rrisë ndërveprimin mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore.

 

Fushat e aplikimit

Praktikat e mira mund të jenë pa kufizim, nga fusha të ndryshme, brenda kuadrit të veprimtarisë dhe përgjegjësive që ka vetëqeverisja vendore, si p.sh.:

  • Mbështetje dhe praktika në promovimin e qeverisjes së mirë dhe transparenca në nivel vendor
  • Financat vendore
  • Mirë-administrimi i funksioneve të veta (përfshirë funksionet e reja të transferuara në Bashkitë).
  • Përmirësimi i shërbimeve administrative
  • Kohezioni ekonomik apo territorial dhe zhvillimi gjithëpërfshirës
  • Të drejtat njerëzore
  • Aftësia e kufizuar
  • Mbrojtja e mjedisit

[1] Programi dldp zbatohet në Shqipëri nga Helvetas Swiss Intercooperation dhe financohet nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, mbi bazën e një Marrëveshje dypalëshe midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane.

 

Kliko këtu për të shfletuar dokumentin e plotë